7.8 C
Albania
Friday, April 7, 2023
spot_imgspot_img

POSTIMET E REJA

Nuk ka si Shtëpia mesdhetare 0.0, Arjon Muarremi na zbulon instalacionin më të ri në Tiranë

Organizimet e ndryshme që grumbullojnë artistë të rinj, festivale e bienale me një numër të kufizuar spektatorësh, ndonjëherë duket sikur vijnë e ikin pa thënë asgjë që të mbahet mend nga publiku. Njerëzit shohin më shumë kronika televizive sesa vepra nga këto organizime. Forume bisedimesh, postera, një varg ambasadash të huaja mbështetëse, ndonjë deklaratë prezantuese nga organizatorët, nga kupton mirë çfarë është intelektualizimi, por shumë pak çfarë vlere ka ky organizim, kur papritur kupton që nuk është plotësisht dhe gjithmonë kështu.
Këtë maj Shqipëria priti Bienalen e 18-të të Mesdheut me temën “Shtëpia” dhe ajo shtroi me bojëra një sixhade në sheshin para Korpusit. Është aty, e shtruar për t’u shkelur nga këmbët e atyre që e pëlqejnë apo nuk e pëlqejnë, e aftë të nxisë një ndjesi, një debat, një kujtim…Nuk mund të thuash që Bienalja e Mesdheut 18 erdhi dhe iku pa lënë gjurmë. Dhe tani, një tjetër vepër e prezantuar në këtë bienale, një ndër fitueset e seksionit të arteve të aplikuara, do të vendoset në sheshin Avni Rustemi në zonën e Pazarit të Ri dhe do të hapet për publikun në tetor.

Mediterranean Home 0.0, e arkitektit Arjon Muarremi, është një kub, me sipërfaqe me efekt pasqyrë, që reflektojnë, duke e thyer, imazhin urban përreth dhe krijojnë një hapësirë të brendshme pa kufij, një shprehje e jetës dixhitale që ndërthuret me dramën e masakrave në Mesdhe.
Me themel konceptin e paradoksit më të ri mesdhetar, të kampeve të refugjatëve që nuk i strehon askush dhe strehëzave që gjenden lehtë në AirBnb, kjo vepër do të ketë, ndërkaq, funksionin e një hapësire ekspozitash të arteve të ndryshme në një nga sheshet më të gjallë të Tiranës të kohëve të fundit.
Arjon Muarremi, arkitekti nga Fieri, i diplomuar në Politeknikun e Milanos, themelues i studios ArSpaces na tregon më shumë për konceptin e tij në këtë vepër, por dhe konceptet që udhëheqin punën e tij e që mund ta çojnë kudo, aq më tepër që sipas tij atdheu i vërtetë i së bukurës është shpirti.
Çfarë synoni përmes Mediterranean Home 0.0, çfarë ideje ka ajo?
Ideja kryesore është të nxisë krijimin e një sistemi narrativ modern nëpërmjet ngjizjes së një kulture të re ekspozitive – spot: një vepër e vetme për një kohë të caktuar.
Ky proces, nëpërmjet ndërveprimit me kontekstin urban, me publikun dhe prurjet nga artistët e rinj, kërkon të gjenerojë gjithmonë eksperienca të reja të këtij “minipavijoni” duke e kthyer në një ambient kërkimor në evolucion të vazhdueshem. Besoj se kjo duhet të jetë sfida e arkitekturës, njohja dhe interpretimi i nevojave të kohës që nuk janë vetëm fizike, por veçanërisht intelektuale.
Lindur si interpretim i temës së Bienales së Mesdheut 18 – HOME – Histori, Konflikt, Ëndërr, Dështim; zgjidhja ishte ajo e të projektuarit një shtëpie muzeale utopike, frymëzuar nga realiteti mesdhetar në kohën tonë, në brendësinë e së cilës të shfaqej një kompjuter i quajtur Home/Shtëpi – një provokacion drejt së ardhmes  – e cila do të jetë edhe vepra e parë e kësaj hapësire.
Ne takimin e zhvilluar ne Tirane, ne maj, Operazioni in Arte. Operazioni in Architettura

Nga çfarë materialesh përbëhet? Përse kjo zgjedhje?
Materialet janë çelik i zinkuar dhe inox për tri arsye mjaft thelbësore. Në radhë të parë, jetëgjatësisë që garantojnë duke qenë të paoksidueshme, ofrojnë rezistencë mekanike që lejon manipulimin e një forme gjithmonë e më elegante dhe e treta, por jo më pak e rëndësishme, pasi efekti pasqyrë i kërkuar nga projekti përputhet me reflektimin e inox-it duke i dhënë veprës imazhin e kërkuar. Drita ka qenë një nga elementet më të rendësishme në zgjedhjen e materialeve pasi në raport me këto metale vizaton hapësiren me ngjyra e tonalitete gjithmonë aktive – mjaft të mendojmë gjatë orëve të ditës e të natës – duke u shkrirë me atmosferën përreth, por pa humbur identitetin e saj si vepër.
Cilat janë përmasat e saj?
Përmasat e brendshme janë 4x4x4 m, një kub. Duke qenë se forma është mjaft e çrregullt, jashtë, arrin dimensione rreth 4.6×4.6 x lartësi 4.6 m, pa harruar elementin vertikal që shënon hyrjen, i cili është një plan me gjerësi 2 m dhe lartësi 6 m.
Të sjell pak në mendje veprën Bliss të Helidon Xhixhës, që ka marrë pjesë në Bienalen e Londrës, vitin e kaluar, ku mori dhe Medaljen e Publikut, për efektin pasqyrues, mesazhin social… E keni parë? Eshtë rastësi, apo ndoshta jeni frymëzuar disi prej saj?
E njihja punën e Helidon Xhixhës pasi kam pasur rastin ta admiroj disa herë, por në këtë rast nuk jam frymëzuar prej saj. Do të thoja më tepër nga një ngjarje personale ku pikërisht jam përballur me këtë paradoks bashkëkohor në të cilin Mesdheu, ashtu si urë lidhëse dhe gjeneruese për kulturën perëndimore, momentalisht, është një barrierë lulesh. Ndërkohë, po përballemi me hapjen që ky moment historik na ofron, mjat të mendojmë për lirinë e lëvizjes apo të informacionit falë internetit, ku ekzistenca po konformohet gjithmonë e më tepër me virtualen. Këto elemente që bashkëjetojnë duhet të na bëjnë të mendojmë për të ardhmen.
Formimi prej arkitekti më ka udhëzuar të kërkoj gjithmonë një përgjigje formale ndaj këtyre stimujve pa humbur fokusin, që nuk është vetëm impakti material apo imazhi, por gjithashtu hapësira e si të gjitha këto kontribuojnë në zhvillimin e një sërë ndjesive dhe aktiviteteve që janë eksperienca e arkitekturës.
Do të thoja se në filozofi më ka influencuar më tepër koncepti i Eterotopisë nga Michele Focault –  një hapësirë urbane bashkë me kujtesën që mbart, ku reflektimi i së cilës në lastrat e pasqyrës është një tjetër ambient irreal gjenerues i një imazhi virtual. Ky i fundit, këtë raport me kontekstin e thyen, e zhvillon në plane të ndryshme duke e lënë pezull në një tjetër dimension.
Arjon Muarremi, arkitekt, autor i Mediterranean Home 0.0

Përse keni zgjedhur këtë emër? Kuptohet Mesdheu, shtëpia, por përse 0.0?
Duke parë paradoksin bashkëkohor për të cilin flitet, emigrantët dhe ndërkohë ky shkëmbim social i shtëpisë moderne, vendosa të përdor utopinë si instrument që më jepte liri intelektuale dhe formale për të imagjinuar shtëpinë e së ardhmes ashtu si edhe së tashmes, një shtëpi pa kohë, e cila duhet të edukojë dëshirat. Nga këtu vjen emri “Shtëpia mesdhetare 0.0” – ku 0.0 qëndron për harkun kohor. Viti 0.0…
Prej sa kohësh punoni me të? Kur do të instalohet përfundimisht te Pazari i Ri?
Puna ka filluar menjëherë pas shpalljes së fituesëve në shkurt 2017 për të vazhduar me inxhinierizimin në mars dhe pas mbylljes së procedurave të nevojshme – pjesa teknike e ndërtimit në qershor 2017 – në bashkëpunim të ngushtë me kompaninë që po e sponsorizon për një pjesë të rëndësishme, Art Konstruksion, pa mbështetjen 360 gradë të së cilës, rezultatet do të ishin të tjera. Aktualisht vepra është duke u përfunduar pranë ambienteve të kësaj kompanie në Autostradën Durrës-Tiranë. Inaugurimi planifikohet rreth mesit të tetorit.
Si u vendos që do instalohet aty?
Vendimi ka qenë një proces në bashkëpunim me të gjithë aparatin e Bienales së Mesdheut, në veçanti drejtorit artistik Driant Zeneli, kuratores Jonida Turani dhe Bashkisë Tiranë, e cila e ka mbështetur dhe përkrahur në çdo hap veprën. Ideja themelore e të reflektuarit të një kontekst tipik/historik të qytetit ka qenë një shtysë drejt zgjedhjes së pazarit – më saktësisht sheshit Avni Rustemi – shkalla humane në lartësitë e ndërtesave jo përtej 10m që lejojnë një interaksion perfekt për shkak të dimensioneve dhe, jo më pak e rëndësishme, funksioni i ardhshëm i projektuar – një minipavijon ekspozitiv për artin bashkëkohor.
Ju, personalisht, nuk mendoni që Tirana ka nevojë për pak kujtesë dhe traditë, për një Pazar të Ri, me atmosferë të vjetër? Që është bërë pak i lodhshëm ky kontrasti i së resë me të vjetrën, i tradicionales me modernen? Apo mendoni që është e vetmja mënyrë sesi mund t’i trajtojmë hapësirat urbane? Nuk do ishte më bukur që Pazari i Ri të lihej me atmosferën tipike të tregjeve të vjetra, por sigurisht i mirëmbajtur dhe veprat, si tuajat, të vendoseshin në një zone më moderne të Tiranës?
Besoj se ka mënyra të trajtimit të zonave urbane që janë ende për t’u zbuluar dhe përherë në evolucion duke qenë se edhe variablat janë të pafundme. Personalisht, mendoj se jemi të gjithë bijë të kohës që jetojmë dhe si të tillë, në mënyrë konstante, përballë vendimit sesi duhet të ndërveprojmë me “kujtesën”, pasi çdo gjë rreth nesh ndryshon me një ritëm gjithmonë e më të përshpejtuar. Sot, ashtu si në çdo moment, duhet të gjejmë ekuilibrin ndërmjet asaj çfarë trashëgojmë, çfarë prodhojmë dhe çfarë mund të tejbartim drejt së ardhmes. Mendoj se opsioni më i mirë dhe ndoshta më i vështirë është ai i të projektuarit një proces bashkëkohor që fut në sistem të gjitha këto vlera dhe nëpërmjet një operacioni arkitektonik – në këtë rast – kërkon një zgjidhje, sesi kjo kujtesë mund të jetohet dhe të përshkojë kohën.
Në rastin e Mediterranean Home 0.0, vizioni është që ky proces të aktivizohet si pasojë e një nisme të thjeshtë: realizimi i Shtëpisë të Artit e kulturës të së ardhmes, pjesë e nje sistemi dinamik midis forcave që e rrethojnë, qofshin ato historike, kulturore, muzeale, ekonomike, turistike e njerëzore. Ky tension shprehet kudo, deri në rezultatin final, si një fill i kuq që mban bashkë idenë, imazhin e gjithashtu teknikën e prodhimit.
Eshtë një gjest delikat aq sa ndoshta janë sfidat e kohës sonë.
Nëse do të vendosej në një zonë pa këto karakteristika, nuk do të respektonte idenë themelore që lind në sajë të këtij raporti me kohën, midis historisë dhe së ardhmes.
Kjo vepër mund të spostohet duke ngjallur të tjera zhvillime tjetërkund – teknikisht është e mundur, pasi është projektuar si konstruksion metalik, i çmontueshëm, i transportueshëm dhe me një vëmendje të veçantë mbi impaktin në terren tejet të reduktuar.
Ndërkohë që prisni vendosjen e veprës në sheshin Avni Rustemi, jeni duke punuar me ndonjë projekt tjetër? Synoni t’u bëni vend veprave tuaja në sheshe të tjera të Tiranës apo të qyteteve të tjera të Shqipërisë, Fierit ndoshta?
Për momentin jam duke investuar energjitë e mia mbi studion e arkitekturës që kam themeluar ARspaces. Ndërkohë punoj për disa projekte njëkohësisht duke u nisur nga dizajni ndustrial (si projektimi dhe realizimi i një biçiklete) në arkitekturë të mirëfilltë (komisione private dhe konkurse ndërkombëtarë në bashkëpunim me disa studio), deri te veprat e artit konceptual që maturojnë në kohë.
Sa për synimet personale, e vetmja gjë që kam në dorë është kualiteti i punës sime, si nga pikëpamja etike po aq edhe estetike, gjithmonë nëpërmjet instrumenteve të mi -arkitekturës dhe së bukurës – duke lënë të hapur çdo mundësi që mund të më ofrohet pa vendosur kufij. Kam bindjen se atdheu i së bukurës është shpirti, ndaj kudo ka nevojë, ndjesi dhe dëshirë për të, është një terren i pasur. Nuk mund të mohoj se arsyeja më e fortë që më bën të marr pjesë në konkurse të tilla në Shqipëri është pikërisht kjo lidhje emocionale me vendin tim ndaj të cilit ndiej edhe një detyrim intelektual.
Arkitektura e një arkitekti
Arjon Muarremi është 31 vjeç. Lindur në Patos dhe rritur në Fier ku ka kryer studimet. I dashuruar me dijen, është përpjekur gjithmonë të zhvillojë veten në të gjitha drejtimet e mundshme. I vogël ka filluar të vizatojë dhe aty zbuloi dëshirën për të bukurën që më pas u transformua në dëshirë për muzikë duke u nisur nga leksionet mbi bateri për t’u zhvilluar më tej në pasionin për kitarën, në moshën 12 vjeç kur ndiqte kurset në shtëpinë e pionierit Fier. Nga familja ka trashëguar dashurinë për librin pasi i këshillonin leximet për moshën e tij, me recensione mjaft të gjalla. Mendon që kjo mbështetje, e cila nuk i ka munguar kurrë dhe këto flukse njohurie e kanë shtyrë drejt arkitekturës si një disiplilnë kompozitive.
Pasi përfundoi shkollën e mesme në Fier, iu ofrua mundësia e studimeve në Milano, si rrjedhojë e një vendimi familjar. Fitoi konkursin e pranimit në Politecnico di Milano dhe bëri një provë njëvjeçare. Pasi shkoi mirë, mendoi që gjëja e duhur për  t’u bërë, ishte të vazhdonte.
Ka përfunduar specializimin në 2012 e ndërkohë që studionte, ka punuar për disa realitete të ndryshme në fushë, si studio arkitekture, konsorcium ndërtimi dhe gjithashtu si profesionist i lirë. Kjo ka bërë që edhe pse i ri në moshë, të ketë 7-8 vite eksperiencë pune të vazhdueshme, pak a shumë në të gjithë spektrin e tregut të arkitekturës. Në vitin 2009, ka pasur eksperiencën e parë si sipërmarrës ku së bashku me 3 shokë themeluan KubiStudio – përveç instalacioneve për hapësira tregtare dhe lokale milaneze, prodhonin video për arkitekturën si kjo, e realizuar për një shfaqje në Politecnico di Milano në të cilën morën pjesë 12 studio nga e gjithë bota.

Për momentin, ka bazën në Milano nga ku drejton punët për ARspaces dhe gjithashtu është mjaft aktiv në Shqipëri.

AddThis Sharing ButtonsShare to WhatsAppWhatsAppShare to ViberViberShare to FacebookFacebookShare to PinterestPinterestShare to TwitterTwitter

Latest Posts

spot_imgspot_img

Don't Miss