Të tjera detaje kanë dalë në dritë lidhur me autorin e plagosjes së pesë personave brenda ambienteve të xhamisë “Dine Hoxha” te Rruga e Kavajës.
Babai i autorit të plagosjes së pesë personave ka treguar se djali i tij ishte lidhur me një hoxhë dhe falej.
“Unë jam katolik. Djali u lidh me një hoxhë dhe falej në xhami. Jetojmë në kushte shumë të vështira. Djali vazhdoi shkollën për frëngjisht në Tiranë. Djali shkoi njëherë në Maqedoni dhe takoi disa myslimanë. Kur u kthye, kaloi në depresion”, tha babai i Rudolf Nikollaj.
Siç raporton Panorma, autori 34-vjeçar Rudolf Nikollaj kishte qenë në kërkim nga policia deri në datën 12 prill, pasi më 10 mars kishte plagosur me thikë në këmbë një person. Më konkretisht, mësohet se në rrugën “Kastriotët” kishte plagosur me thikë shtetasin Robert Kurti.
I dëmtuari e kishte denoncuar në Komisariatin Nr. 3, që ishte vënë në kërkim të autorit. Në njoftimin e datës 10 mars, Policia bënte me dije: “Më datë 10.03.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, dhe punohet për kapjen e shtetasit në kërkim R. N., 34 vjeç, pasi në rrugën “Kastriotët”, ka goditur me një mjet prerës (e dyshuar thikë), shtetasin R. K., 32 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën”.
Rudold Nikollaj është marrë në pyetje nga agjentet e antiterrorit, për të shuar dyshimet se pas këtij akti mund të jetë një sulm i organizuar terrorist. Ndërkohë, burimet bëjnë të ditur se 34-vjeçari dyshohet të jetë me probleme mendore.



