Në kurthin e Piter Pan, mbërrin sonte në natën e pestë. Anija ka nisur lundrimin dhe tashmë gazetarët e vegjël po e marrin vetë përsipër drejtimin e saj. Nga java në javë, ata kanë më pak emocione dhe më shumë siguri në “profesionin” e tyre. Të hënat, që janë bërë mbrëmjet më argëtuese të familjeve shqiptare, kanë në fokus ata 12 vogëlushë që janë gati edhe sonte të futin në “kurth” personazhe të njohur, madje edhe të marrin prej tyre çdo lloj informacioni që duan.
Po kush do të jetë sonte përballë gazetarëve të vegjël?
Nata e pestë të spektaklit “Në kurthin e Piter Pan” do të sjellë para publikut dy personazheve të tjerë mjaft të njohur.
Eni Vasili
Gazetarja dhe moderatorja e programit “Open” në Top Channel, do ta lërë për sonte arenën e debateve televizive për çështjet më të rëndësishme të politikës dhe aktualitetit, për t’u gjendur përballë gazetarëve të vegjël dhe për të treguar më shumë për veten, në një profil tjetër. Tashmë, në pritje të ëmbël dhe në pritje të dy vajzave binjake, Eni po përjeton një periudhë të lumtur në jetën e saj, për të cilën, pa dyshim, do të flaës edhe sonte nga anija e Piter Panit.
Jashtë ftohtësisë së politikës dhe aktualitetit, fushatës zgjedhore dhe presionit mediatik që shkakton ajo, Eni do të sjellë një natyrë krejt tjetër të vetes që nuk duhet ta humbni.
Agron Duka
Një prej emrave më të njohur në fushën e biznesit dhe politikës, sonte do të jetë i ftuar përballë fëmijëve për të zbuluar veten në një profil tjetër. Jashtë politikës dhe jashtë biznesit, Duka do të ndihet ndryshe përballë fëmijëve, për të folur për sportin, për raportin e tij me vëllanë, Armand Dukën, por edhe për raporte të tjera me të cilat biznesi dhe politika e ka përballur.



